Leonardo: Po e teproni me kritika, llogaritë e PSG-së do ti bëjmë në fund

Pas fitores së vuajtur kundër Lille, Leonardo i përgjigjet ashpër atyre që kritikojnë lojën e PSG-së: “Mund të themi se nuk jemi mirë, por ka filluar që të kalohet limiti. Të thuash që trajneri nuk merr vesh nga futbolli, që ka lindur dje…që lojtarët e mëdhenj që kemi blerë janë zero.

Ka njerëz që duan të bien në sy, duke folur për ne. Llogaritë do ti bëjmë në fund”, ka thënë drejtori sportiv i parisienëve.

Drejtuesi i PSG-së mbron trajnerin dhe lojtarët: “Edhe pse nuk po luajmë ashtu siç duam, kemi 10 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje në kampionat, ku kryesojmë me 10 pikë nga ndjekësi më i afërt. Në Champions kemi 7 pikë, falë 2 fitoreve dhe 1 barazimi.

Nuk mund të flitet kështu për Messi, Mbappé, Neymar, Verratti, për trajnerin dhe Marquinhos. Ramos? E dinim që kishte një problem, dinim gjithçka. E dimë se çfarë po ndodh”.

“Ka vend për përmirësim. Skuadra po punon shumë. E vetmja gjë që nuk më pëlqen është mënyra si na gjykojnë. Po e teprojnë pak në këtë aspekt. E dimë që nuk jemi në formën optimale, por nuk flitet kështu për trajnerin dhe lojtarët e mëdhenj që erdhën këtë vit.

Messi ka qenë me shumë me kombëtaren sesa këtu. Nuk jam i shqetësuar për asgjë. Neymar kritikohet padrejtësisht. Llogaritë do ti bëjmë në fund. Është normale që të ketë kërkesë llogarie, sepse duam të fitojmë shpejt.

Me një skuadër të tillë këtë vit duam të fitojmë. Do ia arrijmë apo jo, këtë nuk e di. Por jam i bindur që i kemi të gjitha mjetet për t’ia arritur këtij qëllimi”, ka përfunduar Leonardo. /Oversport.tv