Lewandowski bomberi që nuk ndalet, askush si ai në Champions League

Robert Lewandowski, ylli i Bayernit të Mynihut po kalon një formë të shkëlqyer, të cilën e tregoi edhe në ndeshjen e djeshme në Champions League kundër Benficas ku shënoi një tregolësh.

Gjigandët gjermanë arritën fitoren e katërt në grup (në po aq ndeshje të luajtura), ndërsa polaku festoi në mënyrën më të mirë ndeshjen e tij të 100-të në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube, duke shënuar tre gola.

Sulmuesi i Bayernit është kthyer në bomberin më produktiv të këtij turneu, pasi në këtë ndeshje jubilare arriti kuotën e 81 golave të shënuar në Champions. Askush nuk ka shënuar më shumë se ai në 100 ndeshjet e para të luajtura në këtë kompeticion.

Polaku është ngjitur në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme të golashënuesve në Champions dhe para tij qëndrojnë vetëm Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Portugezi ka shënuar 139 gola në 180 ndeshje të luajtura, ndërsa argjentinasi 123 gola në 152 ndeshje të zhvilluara deri tani.

Lewandowski është i pari në listën e golashënuesve të këtij edicioni të Champions League me 8 gola të shënuar në 4 takime të luajtura. /Oversport.tv