Liga Unike: Golden Eagle Ylli do hakmarrjen ndaj Teutës, luhet edhe Klasikja

Në mesjavë do të zhvillohet xhiroja e dhjetë në Ligën Unike. Sfida e parë do të jetë ndërmjet Rahovecit dhe Prizreni 16, një takim shumë interesant, pasi është i vlefshëm edhe për Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.

Vreshtarët kanë tri fitore e gjashtë humbje në Ligën Unike, ndërsa prizrenasit gjashtë fitore e tri humbje. Takimi i dytë zhvillohet ndërmjet Tirana Neptun dhe Vllaznisë.

Tiranasit kanë katër fitore e pesë humbje, ndërsa shkodranët dy fitore e pesë humbje, ku së fundi shënuan fitore ndaj Kamza Basket.

Lideri dhe kampioni Golden Eagle Ylli do të sfidohet nga Teuta e Durrësit. Therandasit janë në formë të jashtëzakonshme, si në Ligën Unike, po ashtu edhe në elitën e basketbollit të Kosovës.

Ylli ka tetë fitore e një humbje, ndërsa durrsakët pesë fitore e katër humbje. Humbja e vetme e Yllit ka ardhur nga Teuta me shifrat 78:72.

Ndeshja e fundit do të zhvillohet ndërmjet Kamza Basket dhe Pejës. Kamza ka dy fitore e shtatë humbje, ndërsa pejanët gjashtë fitore e tri humbje. / Liga Unike