Peja ka bërë detyrën ndaj Rahovecit, pasi ka fituar me rezultatin 122:88 (39:20, 19:19, 30:29, 34:20), në kuadër të xhiros së shtatë të Ligës Unike.
Vetëm fillimi ishte i barabartë, deri te rezultati 10:1. Më pas vendasit hynë në një seri prej 13:3, për epërsinë 23:13. Avantazhi nisi të thellohej edhe më shumë, deri në 36:18, ndërsa perioda e parë përfundoi 39:20.
Periudha e dytë ishte e barabartë, por më shumë e kontrolluar nga verdhezinjtë, që ruajtën epërsinë e krijuar në dhjetë minutat e para, duke shkuar në pushim me shifrat 58:39.
Edhe perioda e tretë ishte e ngjashme me atë të dytën, me përpjekjet e mysafirëve për t’u rikthyer, por pejanët e menaxhuan lojën mirë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 88:68.
Në dhjetë minutat e fundit, Peja vetëm sa thelloi epërsinë edhe më shumë, për të triumfuar me rezultatin bindës 122:88. Një fitore shumë e rëndësishme, duke marrë parasysh që rezultati vlen edhe në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.
Te Peja u dalluan Tyrone White me 44 pikë, katër kërcime e shtatë asistime dhe Stephen Maxwell me 35 pikë e 11 kërcime, kurse te Rahoveci u dallua Cavon Baker me 24 pikë, nëntë kërcime dhe pesë asistime.
Peja e përfundon stinorin vjeshtor në Ligën Unike me pesë fitore dhe dy humbje, kurse Rahoveci me dy fitore dhe pesë humbje. / Liga Unike