Peja ka triumfuar në transfertë ndaj Kamza Basket me rezultatin 76:113 (19:29, 19:36, 16:22, 22:26), në kuadër të javës së dhjetë të Ligës Unike.
Në shtatë minuta të para të ndeshjes, sfida ishte e barabartë, deri tek rezultati 17:18. Më pas Peja nisi të tregonte forcën dhe periodën e parë e mbylli me epërsinë e 10 pikëve.
Kamza Basket nuk po rezistonte dot dhe gjysma e ndeshjes përfundoi 38-65 në favor të skuadrës nga Kosova. Peja e uli pak ritmin, por sërish shënoi më shumë pikë se kundërshtari edhe në dy periodat e tjera, duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin 76-113.
Te Kamza Basket u dallua Eric Williams me 21 pikë e pesë kërcime, kurse te Peja u dalluan Tyrone White me 24 pikë, 10 kërcime dhe 11 asistime, si dhe Edgar Gribay me 19 pikë e dhjetë kërcime. Kamza ka dy fitore dhe tetë humbje, kurse Peja numëron shtatë fitore e tri humbje.
Golden Eagle Ylli-Teuta, që ishte programuar të zhvillohej sot nga ora 17:00, nuk u luajt dhe organet disiplinore do të marrin vendimin final për këtë ndeshje. / oversport.tv