Liga Unike: Rahoveci vetëm zhytet, Golden Eagle Ylli feston në derbin dardan

Golden Eagle Ylli ka triumfuar ndaj Rahovecit në transfertë me rezultatin 72:77 (16:16, 18:25, 21:24, 17:12), në javën e katërt të Ligës Unike.

Në periudhën e parë vendasit e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi të lehtë 12:7, por therandasit barazuan shifrat dhe kjo pjesë u mbyll 16:16. Mysafirët vazhduan me lojë të mirë, duke kaluar në epërsi 20:27, por Vreshtarët u rikthyen shpejt për të barazuar rezultatin në 27:27.

Në fund të periudhës së dytë, kampionët e Ligës Unike u shkëputen sërish, për të shkuar në pushim me shifrat 34:41.

Ylli vazhdoi me lojë të mirë edhe në periodën e tretë, ku arriti epërsinë më të lartë në ndeshje, 20 pikë, 44:64, kurse vendasit ishin në gjendje të ngushtonin shifrat në 55:65, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash.

Rahoveci nuk u dorëzua dhe tentoi përmbysjen e madhe, por arriti vetëm të ngushtojnë shifrat në 72:75, dy minuta nga fundi, megjithatë Ylli triumfoi me rezultat 72:77.

Te Rahoveci u dallua Milik Yarbrough me 20 pikë e 13 kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Brandon Randolph me 23 pikë, pesë kërcime e shtatë asistime, Barret Benson me 16 pikë e 12 kërcime dhe Erjon Kastrati me 20 pikë.

Rahoveci ka katër humbje në katër ndeshje, ndërsa Golden Eagle Ylli tri fitore dhe një humbje. / Liga Unike