Liga Unike: Tirana mposht Vllazninë në Klasike, Rahoveci ia del me Prizrenin

Liga Unike vijon garimin dhe Tirana Neptun e Rahoveci ka festuar ditën e sotme. Bardheblutë kanë mposhtur 96-82 (14:27, 31:17, 24:17, 27:21) Vllazninë, në Klasiken e Shqipërisë.

Shkodranët ishin më mirë në periodën e parë, duke e mbyllur me epërsinë e 13 pikëve. Tirana Neptun reagoi më pas dhe në pushim të ndeshjes kishte një pikë më shumë: 45-44. Djemtë bardheblu më pas e thelluan diferencën dhe e mbyllën ndeshjen me rezultatin 96-82.

Te Tirana Neptun u dalluan Eldi Hysa me 20 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime dhe Julian Hamati me 18 pikë e gjashtë kërcime, kurse te Vllaznia u dallua Robert Shestani me 18 pikë e gjashtë asistime. Tirana Neptun ka pesë fitore e pesë humbje, kurse Vllaznia ka dy fitore e tetë humbje.

Në takimin tjetër Rahoveci mposhti 98-92 (28:26, 24:19, 17:25, 29:22) skuadrën e Prizreni 16. Ky duel vlen edhe për Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.

Rahoveci e mbyll periodën e parë me vetëm dy pikë diferencën, ndërsa deri në gjysmën e ndeshjes e çoi në 7 pikë diferencën. Në periodën e tretë Prizreni 16 befasoi dhe kaloi një pikë para, por vetëm kaq.

Rahoveci e mori komandën dhe në periodën e fundit shënoi 7 pikë më shumë dhe triumfoi 98-92. Te Rahoveci u dalluan Milik Yarbrough me 31 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime, Musab Mala me 14 pikë, 10 kërcime e 11 asistime dhe Fisnik Rugova me 24 pikë e 10 kërcime.

Në krahun tjetër, te Prizreni 16 ranë në sy Courtney Fells me 24 pikë e 12 kërcime, Urim Zenelaj me 16 pikë e pesë kërcime dhe Ivan Koljeviq me 18 pikë e 10 kërcime. Rahoveci ka katër fitore e gjashtë humbje, ndërsa Prizreni 16 ka gjashtë fitore e katër humbje. / oversport.tv