Liga Unike: Tirana Neptun ia del me Pejën, dueli u bë dramatik në fund

Tirana Neptun ka triumfuar ndaj Pejës me rezultatin 84:80 (18:24, 24:16, 24:17, 18:23), në xhiron e katërt të Ligës Unike.

Ndeshjen më mirë e nisën mysafirët, ku në fillim kishin deri në tetë pikë epërsi, 7:15, dhe e ruajtën këtë epërsi në çerekun e parë, që e përmbyllën 18:24.

Vendasit ishin më të mirë në periodën e dytë, ku shpejt barazuan shifrat në 26:26, dhe më pas zhvillohet një lojë kryesisht e baraspeshuar dhe pjesa e parë përfundon me shifrat 42:40.

Tiranasit vazhduan me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, ku arritën epërsi deri në dhjetë pikë, 59:49, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 66:57.

Ndeshje shumë interesante u zhvillua në 10 minutat e fundit, ku pejanët ngushtojnë shifrat në 82:80, vetëm disa sekonda para fundit, megjithatë Tirana Neptun triumfoi në fund me rezultat 84:80.

Te Tirana Neptun u dallua Julian Hamati me 19 pikë e 11 kërcime, ndërsa te Peja u dallua Arian Qallakaj me 21 pikë. Të dy skuadrat kanë nga dy fitore dhe dy humbje. / Liga Unike