Vllaznia ka triumfuar ndaj Kamza Basket me rezultatin 85:79 (24:18, 27:21, 14:25, 20:15), në kuadër të xhiros së nëntë të Ligës Unike.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, me një seri 10:3, megjithatë mysafirët rikthehen shpejt për të barazuar shifrat në 15:15 e për të kaluar në epërsi 18:19.
Gjithsesi shkodranët në fund të periodës së parë ishin më mirë, duke e fituar këtë pjesë 24:18. Vendasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e dytë, duke ngritur epërsinë në 13 pikë, 45:32.
Në pushim ekipet shkuan me rezultatin 51:39. Megjithatë, Kamza nuk u dorëzua dhe bëri rikthimin e madh në periodën e tretë, ku barazoi shifrat në 59:59, e më pas u zhvillua lojë interesante, derisa rezultati pas 30 minutash ishte 65:64.
Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë shumë e fortë dhe basketbollistët e Vllaznisë ishin më të vëmendshëm, duke fituar 85:79. Tashmë të dy skuadrat kanë nga dy fitore dhe shtatë humbje.
Te Vllaznia u dallua Matthew Butler me 22 pikë, tetë kërcime e tetë asistime, kurse te Kamza u dallua Matthew Eldridge me 24 pikë e dhjetë kërcime. / Liga Unike