Racizmi, Lilian Thuram: U takon lojtarëve të bardhë ta ndalojnë këtë gjë

Racizmi në stadiume është kthyer në një çështje shqetësuese në Itali. Rastet e përsëritura kulmuan së fundmi në ndeshjen Fiorentina-Napoli ku tifozët vjollcë bënë thirrje raciste për lojtarët me ngjyr të Napolit.

Për këtë çështje është ndalur edhe Ish-futbollisti i Juventusit, Lilian Thuram. Ai ishte i ftuar në Festivalin Trento ku midis të tjerash u ndal tek problematikat raciste në shkallët e stadiumeve. Ai e konsideroi këtë gjë një hipokrizi dhe situata aktuale është e njëjtë si 25 vite më parë.

“Racizmi është një kurth, një ideologji politike që vazhdon sepse ka njerëz që përfitojnë prej tij. Racizmi është arrogancë, të mendosh që ke gjithmonë të drejtë dhe nuk dëshiron të dëgjosh të tjerët. Duhet të dalësh nga kjo arrogancë për t’u bërë njeri. Për ta mposhtur atë, paragjykimet duhet të thyhen.

Paragjykimet fillojnë kur rritesh, fëmijët nuk thonë se jam i bardhë apo jam i zi. Ata janë kafe, rozë, ngjyrë bezhë. Edhe në botën e futbollit ekzistojnë këto zakone, lojtarët e bardhë dhe trajnerët e bardhë mund të bëjnë  më shumë, nëse nuk bëni asgjë do të thotë që ju pranoni këtë gjendje.

Lojtarët duhet të thonë se ka racizëm në Itali. Dhe duhet ta thonë këtë sepse e duan Italinë dhe dëshirojnë të ndryshojnë gjërat.

Kur bërtasin se Koulibaly është majmun ata po dhunojnë, ata godasin jo vetëm atë por shumë njerëz të tjerë. Një person duhet të ndihmojë një person tjetër që të ketë të njëjtat të drejta. Për të dalë nga racizmi nuk duhet të mendosh si një francez, një italian, një zezak, një i bardhë, një senegalez, por si një qenie njerëzore ”, u shpreh Thuram në fjalën e tij. /oversport.tv