Lingard: Mourinho më telefononte për të më kontrolluar çfarë bëja

Jesse Lingard ka dhënë një intervistë për “The Players Tribune” ku ka folur mbi eksperiencën e tij te Manchester United, raportin me shokët e ekipit dhe kryesisht me ish-trajnerin e tij Jose Mourinho. Ai zbuloi edhe një fakt interesant sesi portugezi i mbante kontaktet me lojtarët dhe interesohej për ta.

“Unë dhe Jose kishim një marrëdhënie të mirë në përgjithësi. Ai ishte shumë i mirë me mua. Para të gjitha dëmtimeve që pësova, ai më besoi, më aktivizoi në ndeshje të rëndësishme. Ne fituam trofe bashkë dhe ai më dha mua një mentalitet fituesi”.

Më pas Lingard u ndal tek një situatë gazmore midis Mourinhos dhe lojtarëve të tij: “Atij gjithashtu i pëlqente të kishte një lidhje personale me lojtarët. Ndonjëherë shikoja në telefonin tim se më vinte një video-telefonatë nga Mourinho. Më dukej shumë e çuditshme në fillim. Ai më telefononte dhe më pyeste çfarë po bëja. Ishte një situatë e sikletshme. Më pas më dukej qesharake. Të them të drejtën ai tregonte interes të madh për ne dhe kujdesej vazhdimisht”. /oversport.tv