LIVE/ Kukësi-Tirana, përfundon takimi, nuk ka fitues në sfidën hapëse të “Abissnet Superiore”

KUKËSI-TIRANA 1-1
Shënues: Daci 3′ / Xhixha 56′

90+5’ Përfundon takimi. Nuk ka fitues në sfidën hapëse midis Kukësit dhe Tiranës. Ndeshja përfundon me rezultatin 1-1 me Dacin që hapi siparin e golave të këtij takimi, ndërsa baraspesha për Tiranën u vendos nga Redon Xhixha.

90+4’ Tirana i shkon shumë pranë golit në sekondat e fundit të takimit me anë të Taulant Seferit. Goditja e tij me kokë shkon shumë pranë portës.

91′ Tirana kontrollon topin, por nuk ka qartësinë e duhur për të rrezikuar sa duhet portën e Kukësit

90’ Ka tension nga tribunat. Taulant Seferi goditet me shishe në kokë nga tifozët e Kukësit

87’ Shehi largon nga fusha e lojës edhe Qefalinë. Në vendin e tij fitet Hila.

86’ Orges Shehi kërkon të fitojë ndeshjen dhe hedh në fushën e lojës Gjumsin, ndërsa largon Hussein.

81’ Një harkim i mirë i Albano Aleksit për Taultant Seferin i cili godet me kokë, por nuk koordinohet si duhet.

77’ Skënder Gega bën një tjetër zëvendësim duke larguar Hasajn dhe duke hedhur në fushën e lojës Zivkovic

74’ Tirana kërkon të përfitojë menjëherë nga epërsia numerike dhe rrezikon portën e Angjelo Tafas. Ismajlgeci përfiton në zonë, por goditja e tij ndalet nga gardiani i verilindorëve që vazhdon të konfirmojë paraqitjen e tij të mirë

71’ Kukësi mbetet me 10 lojtarë. Daci nuk i kontrollon si duhet nervat dhe bën një gjest antisportiv që detyron gjyqtarin Enea Jorgji të nxjerrë nga xhepi kartonin e kuq.

66’ Tjetër zëvendësim te Kukësi. Edi Basa largohet nga fusha e lojës, në vend të tij do të jetë Berisha

64’ Zëvendësim te Kukësi. Del nga fusha e lojës Kristi Kote dhe vendin e tij në fushë e zë Gyasi.

56’ GOOOOOOL, Redon Xhixha barazon shifrat me një gol mjaft të bukur. Një krosim nga Hasani nga goditja këndore gjen në zonë të lirë Xhixhën që me një goditje fluturimthi gjen rrugën e rrjetës. Ndeshja vendoset në baraspeshë.

53’ Një top i gjatë nga mbrojtja e Tiranës kërkon në thellësi Xhixhën, por Haxhiu është i vëmendshëm dhe largon topin duke mos i lejuar sulmuesit bardheblu të dalë përballë i vetëm me portierin Tafas.

48’ Tirana e nis në sulm pjesën e dytë dhe i shkon shumë pranë golit. Një kombinim perfekt midis Seferit dhe Ismajlgeci, nxjerr këtë të fundit ballë për ballë me Tafas, por portieri i Kukësit është në një ditë të mirë dhe ndal një gol të sigurt.

Starton pjesa e dytë

Përfundon pjesa e parë

45’ Xhixha ka mundësinë të vendosë ndeshjen në ekuilibër, por goditja e tij nga brenda zonës është shumë e lehtë për portierin Tafas që ndal topin dhe nuk lejon të ndryshojë rezultati.

43’ Kukësi sulmon mirë nga krahu i majtë dhe Ndreca jep një harkim të ulët në zonë, por Daci nuk lexon mirë situatën dhe topi kalon gjithë pasqyrën e portës.

41’ Iluzion goli për Tiranën. Taulant Seferi godet nga distanca, por topi shkon në rrjetën e jashtme.

39’ Kukësi kërkon të dyfishojë rezultatin me anë të Gjelbrim Taipit. Ky i fundit provon të surprizojë Bekajn me një goditje nga limitet e zonës, por portieri bardheblu ndal topin me një pritje mjaft të bukur.

30’ Bie disi ritmi i ndeshjes me të dyja ekipet që nuk lënë shumë hapësira, ndërsa edhe përpjekjet për kundërsulme bllokohen lehtësisht.

22’ Reagon menjëherë Kukësi që ka shansin të dyfishojë shifrat me Gjelbrim Taipin. Goditja e tij fluturimthi shkon ngjitur me portën e mbrojtur nga Bekaj.

21’ Super rast për Sherif Kallakun që gjendet i vetëm përballë Tafas dhe ka shansin e artë të barazojë shifrat, por në fund topi i tij shkon jashtë.

8’ Tirana jep shenjat e para të jetës dhe rrezikon me anë të Seferit që humbet mundësinë e parë për të shënuar, ndërsa më pas Hasani godet, por tentativa e tij shkon jashtë kuadratit.

GOOOOOOL 3’ Daci shfrytëzon rastin e parë të ndeshjes dhe kalon në avantazh Kukësin me një gol mjaft të bukur. Goditja e tij kalon mbi Bekaj dhe ndalet nga rrjeta.