Liverpool i pamëshirshëm në derbin e Merseyside, Everton fundoset

Liverpool nuk ka mëshirë, edhe nëse do i duhet që sezonin e ardhshëm të mos ketë derbi kundër Everton. “The Reds” nuk kanë falur sot dhe kanë fituar me rezultatin e pastër 2-0 ndaj ekipit të drejtuar nga Frank Lampard.

Djemtë e Klopp dominuan gjatë gjithë ndeshjes, por në 45 minutat e para më së shumti mbajtën topin. Asnjë goditje në kuadrat nuk u regjistrua, pavarësisht tre tentativave nga Liverpool.

Pjesa e dytë e ndeshjes nisi me melodi tjetër, por në minutën e 54-t rrëzimi i Matip në zonë nuk u konsiderua penallti. Nuk vonoi shumë dhe erdhi goli i parë i ndeshjes, në minutën e 62-të.

Salah krosoi në zonë, aty ku Andy Robertson me kokë e çoi topin në rrjetë dhe bëri që stadiumi të shpërthente në festë. Për tifozët fitorja në derbi vlen sa një trofe dhe Liverpool u hodh në sulm edhe për golin e dytë.

Salah iu afrua, ndërsa nga ana tjetër edhe Everton rrezikoi me Gray dhe Keane. Më pas Thiago vuri në vështirësi portierin Pickford, para se Divock Origi të shënonte golin që i mbylli të gjitha llogaritë e derbit të Merseyside.

Premier League – JAVA 34

Liverpool-Everton 2-0
Shënues:
Robertson 62’, Origi 85’

Foto: Liverpool FC, Twitter