Manuel Locatelli provoi shijen e golit të parë me fanellën e Juventusit dhe tha se skuadra po rritet nga ndeshja në ndeshje. “Sot ishte shumë e rëndësishme që të fitonim dhe e bëmë detyrën tonë ndaj një kundërshtari të fortë si Sampdoria”, ka thënë fillimisht Locatelli.
Mesfushori Italian foli edhe për diskutimet që kanë pasur gjatë kësaj kohe me njëri-tjetrin, por edhe për Dybalën. “Sigurisht që ne flasim, por janë gjëra që mbeten në dhomat e zhveshjes. Po përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje dhe kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e sezonit.
Nuk është aspak e lehtë të fitosh sepse ka skuadra shumë të forta, të cilat luajnë futboll dhe kërkojnë të na vënë në vështirësi”, vazhdoi kampioni i Europës. Sipas tij, Dybala është kampioni i skuadrës dhe lutet që të mos ketë asgjë serioze.
“Paulo është lojtar i madh. Shpresojmë që të mos jetë dëmtim i rëndë dhe të rikthehet në fushën e lojës sa më shpejt”, përfundoi Locatelli. /Oversport.tv