Lojtarët “besnikë” të Gasperinit, Berat Gjimshiti me një vend nderi

Berat Gjimshiti është duke kaluar momentin më të artë të karrierës së tij. Titullar i padiskutueshëm me Atalantën dhe me Kombëtaren shqiptare duke udhëhequr këto dy formacione drejt rezultateve pozitive. 28-vjeçari ka luajtur 10 ndeshje në këtë sezon me ekipin bergamask, por nëse nuk do të ishte për dëmtimin që pësoi me Kombëtaren mund të kishte luajtur më shumë.

Megjithatë, “Xhimi” (siç e quajnë në Itali) e ka fituar besimin e trajnerit Gasperini dhe është një nga më të aktivizuarit gjatë aventurës së trajnerit në stolin e skuadrës zikaltër. Mbrojtësi kuqezi ka akumbuluar 10.393 minuta gjatë këtyre viteve duke zënë vend në “Top 10” të futbollistëve të aktivizuar nga Gasperini.

Lojtari i parë në këtë renditje është zvicerani Remo Freuler, i cili ka plot 18.667 minuta nën drejtimin e trajnerit të Atalantës. Në podium gjithashtu gjenden kapiteni Toloi dhe mesfushori Rafael Toloi. Interesant është fakti që Alejandro Gomez ka dalë jashtë treshes. Mes 10 besnikëve të Gaspit janë gjithashtu Palomino, Hateboer, Gosens, Zapata dhe Masielo.

Berat Gjimshiti është pjesë e Atalantës që prej sezonit 2015-2016, por dy vite u huazua te Avellino dhe Benevento. Mori eksperiencën e duhur aty dhe u rikthye për të qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm të Atalantës. Prej disa sezonesh luan rregullisht edhe në Champions dhe me objektiva të mëdha për Serinë A. Një arsye e fortë është edhe prezenca e shqiptarit. /Oversport.tv