Longo: Egnatia ndryshe nga fillimi, Kukësi do edhe Kupën! Titulli? Tirana super

Kukësi kërkon të kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe nesër në duelin kundër Egnatias nuk do të ketë rotacion. Këtë e ka shprehur edhe trajneri Diego Longo në konferencën e zakonshme për shtypin.

“Nuk mendojmë për rotacion, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe nga minuta e parë do të luajnë ata që janë në formën më të mirë. Do t’i shoh në stërvitje dhe do të vendosim kush do të luajë nesër”, tha fillimisht italiani.

Longo është i bindur se Kukësi mund të luftojë për kupë e kampionat: “Sigurisht. Çdo kompeticion dhe gjithashtu çdo seancë stërvitore është shumë e rëndësishme për ne. Kupa është një trofe dhe ne do të provojmë ta çojmë në Kukës”.

Më pas trajneri i Kukësit foli për rivalin e ditës së nesërme: “Egnatia është një ekip i vështirë dhe këtë e kam thënë që në fillim. Tani është ndryshe nga fillimi, pasi kanë ardhur në formë dhe do të na e bëjë më të vështirë edhe fusha, pasi do të luhet në Peqin”.

Italiani është ngacmuar edhe në lidhje me fushën ku stërviten, që është sintetike, dhe faktin që luajnë në bar natyral. “Normalisht që është diçka ndryshe, por kjo nuk përbën një alibi për ne. Stërvitemi këtu dhe mund të luajmë atje. Natyrisht që po të kishim mundësi, do të donim të luanim në një fushë me bar natyral”.

“A tregon renditja forcën e skuadrave? Në këto momente unë nuk mendoj për klasifikimin, por do të shihet vetëm në mars. Megjithatë Tirana është një ekip shumë i mirë, tradicional, të cilës i peshon edhe fanella, pasi ka fituar 25 herë titullin kampion”, tha në mbyllje Longo. / oversport.tv