Longo: Kukësi im luan ndryshe, 4 janë ekipet për t’u mundur! Më befason diçka

Diego Longo do të debutojë në Abissnet Superiore në krye të Kukësit. Trajneri italian ka folur për media ditën e sotme dhe shfaqet shumë optimist. Mes të tjerash ai i bën një vlerësim futbollit tonë dhe thekson se e kanë befasuar klubet e ngjitura vjet në Superiore. Sa u takon objektivave, Longo kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë dhe rreshton rivalët për t’u mundur.

OPTIMIZMI – “Jam shumë optimist sepse kam besim te ky grup dhe këta djem këtu. Ata kanë vlera edhe përtej fushës, në aspektin human, pasi janë djem të jashtëzakonshëm. Për dy muaj nuk janë ankuar kurrë, arrijnë të kalojnë vështirësitë objektive që kemi çdo ditë dhe kjo falë mentalitetit të tyre fitues. Fituesi i kalon vështirësitë, ndërsa ai që ankohet nuk bën asgjë për ta zgjidhur. Edhe kur janë në fushë, përpiqen t’i zgjidhin situatat dhe kjo më bën krenar”.

FUTBOLLI SHQIPTAR – “Futbolli shqiptar është interesant dhe nuk e prisja kështu. Gjithsesi, është shumë fizik, si për sa i përket forcës ashtu edhe lojës, me shumë duele dhe topa të gjatë. Befasohem kur shoh skuadra si Dinamo apo Egnatia, që janë ngjitur tani dhe janë kaq të organizuara në nivel klubi.

Kjo do të thotë që po bëjnë një punë të mirë të gjithë dhe jo vetëm Partizani apo Tirana, gjë që të gjithë e presin. kjo gjë më ka befasuar. Sa i përket aspektit të lojës, ndoshta ne jemi pak ndryshe me futbollin shqiptar, sepse ne luajmë në mënyrë tjetër”.

Do ta shihni të dielën, por mua më pëlqen të luajmë me topin, ta mbajmë, të kërkojmë hapësira për të sulmuar. Shpresoj që të arrijmë ta konfirmojmë, por jam i sigurt që do ta bëjmë atë që kemi bërë në këta muaj stërvitjeje. Jam shumë besimplotë.

OBJEKTIVAT – “Gjëja më e rëndësishme sot për sot është Egnatia, që është një ekip i organizuar, i fortë dhe me ambicie. Ata kanë një projekt të ri këtë vit, me stadiumin gati dhe kanë kushtet si ekipet e tjera në Europë. Ndaj, nuk mund të hyjmë te pjesa e favoritëve.

Objektivi ynë është ta fitojmë këtë ndeshje, më pas objektivi do të jetë të fitojmë të dytën edhe me radhë pastaj. Nuk mund të mendojmë që tani për kampionatin, sepse kemi 21 pikë më pak në krahasim me skuadrat e tjera dhe këto janë të dhënat e klasifikimit. Ne duhet të luftojmë çdo stërvitje, çdo ndeshje për të fituar dhe bërë mirë”.

RIVALËT – “Kam parë mirë Partizanin dhe kanë shumë kualitet, me lojtarë cilësorë dhe kanë pamjen e një ekipi që ka eksperiencën për të fituar, janë një klub solid. Shoh mirë Tiranën, Vllazninë dhe Teutën kampione. Në letër mund të thuhen shumë gjëra, por ato janë skuadrat për t’u mundur dhe janë katër. Sipas meje, është e vështirë për t’i arritur, por ne mund t’i kalojmë vetëm nëse mendojmë ndeshje pas ndeshjeje”. / oversport.tv