Longo: Presioni te Laçi, katastrofë për ta po nuk na mundën! E di si fitohet

Kukësi ka marrë pikë të plota në dy javët e para të Abissnet Superiore, ndërsa nesër ka në program ka një duel të vështirë kundër Laçit në Kamzë. Trajneri Diego Longo ka folur për mediat dhe fillimisht shprehet kështu:

“Pas dy javësh nuk ekziston një kryesues. Ka vetëm favoritë dhe ne nuk jemi, sepse nuk mund të kalosh nga një kampionat në tjetrin, në dy muaj distancë dhe 21 pikë diferencë e të jesh favorit. Të tillë janë Vllaznia, Teuta, që luajnë dhe mirë e janë të organizuar.

Partizani, Laçi, që sigurisht është mbi ne, sepse vitin e kaluar fitoi 3 në 4 ndeshje me shumë pikë avantazh. Kështu që në do t’i marrim ndeshjet me radhë”. Më tej ai flet për rivalin e nesërm, Laçin.

“Sigurisht Laçi është favorit. Një skuadër që ka shumë nga lojtarët e vitit të kaluar, ku bënë shumë më mirë se Kukësi. Kështu që janë ata favoritët. Janë nën presion, sepse kanë bërë 1 pikë në dy ndeshje e nëse nuk do të fitojë me ne, për ta do të ishte katastrofë”.

“Mungesat? Fatkeqësisht ka edhe faktorë të tjerë, por nuk duhet të jenë alibi mungesat, dëmtimet. Kemi probleme, por kam 21 lojtarë dhe për mua janë të gjithë titullarë. Mund të jetë rastësi që kanë luajtur të njëjtët, por do të ketë edhe ndryshime, të sforcuara në këtë rast, por kushdo të luajë do të bëjë të vetën dhe jam i qetë”.

I pyetur në fund se si mund të arrijë Kukësi te fitorja, trajneri italian shtoi: “Fitohet duke dhënë 100%, si gjithnjë, ndoshta edhe pak më shumë, duke qenë se është një skuadër shumë agressive, që është nën presion e do të japë edhe jetën që të fitojë. Natyrisht fitohet edhe me ekuilibër, me qetësi, me durim, duke shprehur lojën tonë e në fund të shohim”. / oversport.tv