Marrëveshja për kontratën e Lorenzo Pellegrinit është arritur. Në takimin e djeshëm në Trigoria, mes agjentit të lojtarit Pocetta dhe menaxherit të përgjithshëm të skuadrës së Romës, Tiago Pinto, janë përcaktuar edhe detajet e fundit për të zgjatur marrëdhënien mes klubit verdhekuq dhe kapitenit të saj.
Pellegrini, do të firmosë deri në vitin 2026, pra për 5 vjet, dhe do të fitojë rreth 4 milion euro në sezon plus bonuse të ndryshme, duke u bërë kështu lojtari i dytë më i paguar në organikën e Romës, pas Abraham.
Kur i kishin mbetur edhe 9 muaj nga skadimi i kontratës me Romën, Pellegrini ishte i lirë që të shikonte zgjedhje alternative për të vazhduar karrierën e tij. Por, kjo nuk ndodhi sepse drejtuesit e klubit i kanë propozuar një rol protagonisti në projektin e tyre dhe Mourinho e sheh kapitenin, si një pjesë të rëndësishme të këtij projekti.
Zyrtarizimi pritet të bëhet në ditët në vijim, pasi pritet edhe firma e presidentit Thomas Friedkin, por ky është vetëm një formalitet. Pellegrini dyfishon të ardhurat me kontratën e re, por drejtuesit verdhekuq besojnë se ai i justifikon këto shifra, sepse do të jetë simboli i Romës së re: i ri, i fortë dhe i lidhur me ambjentin. /Oversport.tv