“Los Blancos” janë mbretërit e “El Clasico”, Barcelona dorëzohet për herë të parë

Real Madrid triumfon kundër Barcelonës me rezultatin final 3-1. Një “El Clasico” si gjithmonë që dhuroi spektakël dhe gola siç ka ndodhur edhe për vitë me rradhe. “Los Blanco” tregojnë formën e mirë duke fituar një ndeshje të rëndësishme përballë rivalit të tyre Barcelonës në garën për titull.

Pas një aksioni personal të Vinicius Junior që godet por ndalet nga Ter Stegen, topi shkon në këmbët e Benzema i cili gjen veten para portës së boshatisur ku nuk mund të gabonte dhe prish ekuilibrat në “El Clasico”. Për golin e dytë do të mendonte Federico Valverde ose ndryshe njeriu i ndeshjeve të mëdha. Një top i ardhur nga Ferland Mendy për uruguajanin i cili lëshon një predhe që shkund portën e blaugranave. Real Madrid shkon në dhomat e zhveshjes me një avantazh prej dy golash në këtë supersfidë. Barcelona ngushton diferencën pranë fundit të ndeshjes me një gol nga Ferran Torres. Shumë pranë golit ishte dhe 10-shi i katalanasve Ansu Fati me një goditje fluturimthi që për pak sa prek shtyllën. Një penallti e fituar nga Rodrygo në minutën e fundit dhe e finalizuar po nga braziliani i jep fitoren e madhe “Los Blancos” në “El Clasico”.

Me këtë fitore të madhe, Real Madridi rimerr vendin e parë në La Liga ku regjistron 8 fitore dhe vetëm një barazim me 25 pikë të grumbulluara. Nga ana tjetër Barcelona pëson humbjen e parë për këtë sezon dhe zbret një vend më poshtë në renditjen e kampionatit. /oversport.tv Foto: Real Madrid, Twitter