Lotito kërkon mbi 100 milionë euro, te Lazio gati të sakrifikojnë yllin e ekipit

Në majin e vitit 2018, Claudio Lotito deklaroi se kishte refuzuar një ofertë prej 110 milionë eurosh për Sergej Milinkovic Savic. Një shifër vërtetë shumë e lartë për Lazion, por që shpresonte në atë kohë ta shiste për një shifër edhe më të lartë “rreshterin” e mesfushës.

Por sa vlen sot Milinkovic-Savic? Për Lotiton vazhdon ende të ketë vlerën e mbi 100 milionë eurove. Ai është aktualisht mesfushori më produktiv në kampionatet kryesore europiane me 9 gola dhe 9 asist, ndërsa kjo është një arsye më tepër që Lotito t’i qëndrojë besnik atij çmimi.

Megjithatë, ai do të jetë i sakrifikuari i Lazios në merkaton e verës në mënyrë që Igli Tare të ketë para për afrimet e reja. Problemi i vetëm është se tashmë askush nuk ofron 100 milionë euro për mesfushorin serb. Maksimumi i arritur është 70 milionë euro, një shifër që nuk pëlqehet nga Lotito.

Megjithatë, me PSG që është ekipi kryesor për të afruar mesfushorin gjithçka mund të ndodhë. Lotito nuk lëviz nga kërkesa e tij dhe në merkaton e verës do të ketë një luftë nervash midis presidentit të Lazios dhe blerësve të mundshëm. /oversport.tv