Lozano heroi i “Dall’Aras”, Bologna e pafuqishme përballë Napolit

Një dygolësh i shënuar nga sulmuesi Hirving Lozano, ka vendosur sfidën e “Dall’Aras”. Një ndeshje që është dominuar totalisht nga Napoli dhe që nuk është vënë në diskutim për asnjë moment.

Skuadra e Spallettit ngjitet në kuotën e 46 pikëve dhe vazhdon që të besojë tek titulli kampion, ndërsa Bologna vazhdon që të notojë në ujëra të turbullta, këto kohë edhe për shkak të pandemisë, sepse shumë lojtarë kuqeblu kane qenë të infektuar me covid.

Napoli tregon dominimin e tij që në minutat e para dhe synon që të zhbllokojë sa më shpejt këtë sfidë. Pas një krosimi në zonë, Lozano është më i shpejtë se të gjithë dhe mposht portierin Skorupski. Fabian Ruiz godet shtyllën në minutat e fundit të pjesës së parë.

Pjesa e dytë nis menjëherë me gol. Është sërish sulmuesi meksikan i Napolit që gjen rrugën e rrjetës, pas një asisti të dhënë nga Fabian Ruiz. Miqtë vulosin fitoren dhe tekniku Spalletti hedh në fushë edhe Osimhen, që për pak sa nuk shënon golin e tretë për skuadrën e tij.

Bologna zgjohet shumë vonë dhe vetëm në kohën shtesë godet shtyllën me Svanberg. Një ndeshje pa histori në “Dall Ara”. Napoli merr një fitore të merituar dhe vazhdon të ëndërrojë, ndërsa për Bologna duket se ka humbur shkëlimin dhe vazhdon të zbresë shkallë në renditjen e Serie A. /Oversport.tv

Itali / Serie A – Java e 22-të

Bologna-Napoli 0-2

Lozano 20’, 47’