Luan Shqipëria U21 në “Elbasan Arena”, fitorja ndaj Andorrës detyrim

Shqipëria U21 do të zbresë sot në fushën e stadimit “Elbasan Arena” në orën 19:00 për t’u përballur me Andorrën, në një sfidë të vlefshme për eleminatoret e Kampionatit Europian 2023.

Kuqezinjtë e drejtuar nga tekniku Alban Bushi kanë grumbullur 3 pikë në 2 takimet e luajtura deri më tani dhe aktualisht zënë vendin e katërt në grupin G.

Fitorja është detyrim në sfidën e sotme për kombëtaren shpresa dhe në deklaratat e teknikut bëhet e qartë se kundërshtari është vlerësuar maksimalisht, por objektivi i skuadrës është vetëm fitimi i tre pikëve, për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.

Çepele dhe Ismailgeci do të mungojnë në ndeshjen e sotme, por Bushi ka theksuar se ka në dispozicion një organikë të pasur, prandaj nuk do të ndihet mungesa e këtyre lojtarëve.

Andorra është skuadra më e dobët e Grupit G, pasi në 3 ndeshje të luajtura ka koleksionuar 3 humbje, madje nuk ka shënuar asnjë gol në këto takime.

Në 11 tetor, Shqipëria do të ndeshet me Slloveninë, po në Elbasan, në ndeshjen tjetër eleminatore të Kampionatit Europian 2023. / Oversport.tv