Luhen 7 sfida në Kategorinë e Parë, java e 12-të sjell përballje mes rivalësh

Do të luhen sot në orën 13:30,  shtatë ndeshje të javës së 12-të të Kategorisë së Parë.

Kryesuesit e Bylisit i pret një transfertë e vështirë në Pukë, ku do të përballen me Tërbunin vendas. Ballshiotët janë paraqitur shumë mirë këtë sezon (10 fitore dhe 1 humbje në 11 ndeshje) dhe sot kërkojnë një tjetër sukses që të konsolidojnë pozitat e tyre në krye të renditjes. Edhe pukianët kanë nisur mirë kampionatin dhe aktualisht e shohin veten në vendin e 4-rt në tabelën e klasifikimit.

Kryesfida e javës është përballja mes Erzenit dhe Lushnjës, dy skuadra me emër dhe pretendime, por që këtë sezon janë paraqitur shumë ndryshe në kampionat. Shijakasit kanë bindur dhe janë rivalët kryesorë të Bylisit në garën për në elitë, ndërsa lushnjarët kanë zhgënjyer dhe e shohin veten në zonën e ulët të renditjes.

Apolonia-Korabi dhe Tomori-Besëlidhja janë dy takime të tjera që premtojnë rivalitet dhe spektakël, për historinë dhe pretendimet që kanë këto skuadra.

Besa udhëton drejt Sarandës për tu ndeshur me Butrintin, ndërsa në Peqin do të luhet përballja Shkumbini-Pogradeci. Maliqi i vendit të fundit do të luajë kundër Turbinës, ndërsa nesër do të zhvillohet sfida e fundit e kësaj jave, përballja Vora-Burreli. / Oversport.tv