Tre sfida të tjera të Serie A do të luhen sot dhe do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në ekranin e Oversport dhe Tibo. Në orën 15:00 në fushë do të zbresin Empoli dhe Torino. Vendasit vijnë pas asaj fitore surprizë në “Giuseppe Meazza” përballë Interit dhe kërkojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive ku padyshim shtohet fakti që kanë pesë ndeshje pa humbje.
Nga një fitore e rëndësishme në transfertë vjen edhe Torino që objektiv në këtë sfidë ka tre pikët. Mediat italiane raportojnë se Bajrami nuk do të jetë titullar për Empoli, ndërsa për Torinon pritet ta startojë nga minuta e parë Vojvoda. Sa i përket Ardian Ismajlit, mbrojtësi kuqezi vazhdon të qëndrojë jashtë fushave për shkak të një dëmtimi.

Në orën 18:00 Cremonese pret nënkampionët në fuqi, Interin. Zikaltrit vijnë nga një humbje zhgënjyese në shtëpi përballë Empolit dhe kërkojnë të reagojnë menjëherë. Në formacion për zikaltrit pritetë të jetë Kristjan Asllani që do të jetë në regjinë e mesfushës së Simone Inzaghit. Nga ana tjetër Cremonese, tashmë me një trajner të ri, është ende në kërkim të fitores së parë në këtë edicion të Serie A.

Sfidat e kësaj dite të shtunë në Serie A mbyllen me përballjen mes Atalantës dhe Sampdorias. Ndeshja do të startojë në orën 20:45 dhe favoritët të paktën në letër janë bergamaskët e Gian Piero Gasperinit.
Këta të fundit vijnë pas një barazimi 3-3 ndaj Juventusit në një sfidë spektakolare, ndërsa kanë katër ndeshje pa humbur në Serie A. Megjithatë, Sampdoria ka treguar se është një kockë e fortë dhe do të bëjë çmos të rrëmbejë sa më shumë pikë në luftën e saj për mbijetesë. /oversport.tv
