Luhet një finale që vendos fatin e sezonit, AF Elbasani kërkon ndihmën e tifozëve

Shumë e bukur është gara për vendin e parë në Grupin B të Kategorisë së Dytë, aty ku Pogradeci dhe AF Elbasani luftojnë “kokë më kokë” për të siguruar ngjitjen direkte në Kategorinë e Parë. Të dyja skuadrat kanë zhvilluar një sezon të shkëlqyer deri më tani, duke koleksionuar 10 fitore dhe 2 barazime në 12 javë kampionat. Pogradeci dhe AF Elbasani janë në kuotë të barabartë pikësh (32), por aktualisht në krye qëndrojnë liqenorët pasi kanë golavarazh më të mirë.

Duket se dilema e madhe se kush do të ngjitet direkt në Kategorinë e Parë do të marrë fund të dielën, pasi në orën 13:00 në “Elbasan Arena”, dy skuadrat do të masin forcat në një përballje direkte, që vlen sa një sezon. Sfida e parë në Pogradec ka përfunduar në barazim, prandaj ai që fiton të dielën do të hidhte një hap të sigurt drejt objektivit madhor, sepse takimet direkte janë ato që vendosin se kush qëndron më sipër në renditje, prandaj sfida e së dielës vlen më shumë se tre pikë.

Verdheblutë e kanë të qartë se një sukses në këtë përballje direkte, do të afronte akoma më shumë objektivin final, që është ngjitja një kategori më lart. Të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj sfide, drejtuesit e klubit verdheblu u bëjnë thirrje tifozëve që të jenë të shumtë në numër në stadium, që të mbështesin skuadrën e drejtuar nga trajneri Gentian Stojku, që të marrë suksesin e radhës, një sukses që vlen dyfish përballë një rivali direkt si Pogradeci. Fitorja vlen vendin e parë në renditje, madje më shumë se aq, prandaj vendasit presin që stadiumi të jetë plot në përkrahje të skuadrës.

“Në javën e 13- të presim në shtëpi rivalin direkt për garën e ngjitjes në Kategorinë e Parë. Të dielën luajmë ndaj ekipit të Pogradecit në Elbasan Arena. Stafi dhe ekipi i kanë të qarta objektivat dhe e vlerësojnë maksimalisht rëndësinë e kësaj sfide”, shkruhet në postimin e AF Elbasanit në faqen zyrtare në Facebook. / Oversport.tv

 

View this post on Instagram

 

A post shared by AF Elbasani (@afelbasani)