Luis Alberto: Inzaghin e kishim si baba, por Sarri është më i fortë

Mesfushori i Lazios, Luis Alberto ka dhënë një intervistë për “Rivista Undici”. Numri 10 i Lazios foli për çështje të ndryshme por u përqëndrua më shumë te ish-trajneri i tij Inzaghi dhe ai aktual, Maurizio Sarri.

Ai bëri një krahasim midis dy trajnerëve duke e konsideruar Inzaghin si një baba për të: “Inzaghi ishte një mik, baba për të gjithë ne. Sarri nga ana tjetër ka një personalitet ndryshe, më të fortë. Ai ka një ide të mrekullueshme loje, e pamë te Napoli ose Empoli”.

Më pas Alberto u ndal tek Sarri dhe eksperienca e tij e re me Lazion: “Sipas mendimit tim, Lazio do të zhvillojë një futboll shumë të bukur pas dy ose tre muajsh. Unë nuk e di nëse do të fitojmë diçka, por me siguri do të argëtohemi shumë. Për kundërshtarët tanë do të jetë shumë e komplikuar ndeshja kundër ekipit tonë. Cilësia jonë është shumë e ngjashme me atë të Napolit kur trajnonte Sarri. Në fakt, në disa aspekte mendoj se jemi edhe më mirë”.

Në fund të intervistës ai foli edhe për situatën ku ekipi i tij ndodhet për momentin: “Ne e dimë se jemi një ekip në ndërtim. Duhet të kuptojmë mirë atë që na kërkon trajneri. Vetëm atëherë do të jemi në gjendje të bëjmë gjëra të mëdha”. /oversport.tv