Makina tradhton Leclerc, në Spanjë triumfon Verstappen dhe merr kreun

Spektakël, surpriza dhe tradhti nga makina. Në Çmimin e madh të Spanjës në Formula 1 kishte gjithçka, me Max Verstappen që triumfon dhe merr kryesimin e kampionatit botëror. Edhe pse gaboi në fillimin e garës, kampioni në fuqi i botës përfitoi nga tërheqja e Leclerc që deri në xhiron e 27 ishte duke dominuar gjithçka.

Piloti i Ferrarit u tradhëtua nga makina dhe në xhiron e 27 u detyrua të tërhiqej në një garë që mund të konsiderohej e fituar për të. Kështu nga kjo tërheqje përfitoi Verstappen që e mbylli garën i pari.

Dominim total i Red Bull pasi edhe në vendin e dytë u rendit piloti tjetër, Sergio Perez, ndërsa në shkallën më të ulët të podiumit u ngjit George Rusell me Mercedesin e tij.

Gaboi në fillimin e garës edhe piloti tjetër i Ferrarit Carlos Sainz që doli nga pista, por në fund e mbylli Çmimin e Madh të Spanjës në vendin e katërt. Vendi i pestë për 7 herë kampionin e botës, Lewis Hamilton që la pas Valtteri Bottas dhe Esteban Ocon.

Top10 u mbyll nga Lando Norris, Fernando Alonso dhe Yuki Tsunoda. Kështu kur janë zhvilluar 6 garan në Formula1, kampionatin e kryeson Verstappen me 110 pikë, 6 më shumë se rivali kryesor i Ferrarit, Charles Leclerc. Edhe për scuderi është Red Bull që kryeson me 195 pikë, i ndjekur nga Ferrari me 169. /oversport.tv

Foto: Formula 1, Twitter