Mala: Duhet të jemi cinikë para portës, ta kalojmë sa më shpejt këtë ngërç

Edhe mesfushori Esat Mala ka folur në prag të sfidës kundër Egnatias, duke theksuar se shpreson që skuadra të kalojë këtë moment të vështirë, duke marrë fitoren në sfidën e nesërme.

“U bënë disa ndeshje që nuk po fitojmë dhe kjo gjë na mërzit shumë, sepse ne duam maksimumin në çdo ndeshje. Ka një lloj ngërçi në aspektin psikologjik te lojtarët dhe po punojmë të gjithë që të kalojmë sa më shpejt këtë ngërç, shpresojmë ndeshjen e nesërme, të marrim trepikëshin e parë.

Duhet të jemi më cinikë para portës dhe të shfrytëzojmë rastet. Jo nuk e kisha menduar një ecuri të tillë, por futbolli ka të papritura. Objektivat e Partizanit dihen, të jetë gjithmonë në krye të renditjes. Shpresoj që të kthehemi sa më shpejt aty ku na takon.

Mund të rikuperojmë se është vetëm fillimi. Egnatia është një ekip kompakt që e vlerësojmë shumë. Do të luajmë si të barabartë dhe do të mundohemi të marrim fitoren”, ka përfunduar Mala. /Oversport.tv