Mala: Kualifikimi në gjysmëfinale ndryshon shumë gjëra, Partizani favorit

Esat Mala, mesfushori i Partizanit, para ndeshjes me Dinamon ka dalë para mediave dhe ka folur për shanset e kualifikimit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.  Ai është pyetur edhe në lidhje me ardhmen, apo për objektivat që mund të arrijnë “Demat” deri në fund të sezonit.

DINAMO – “Duke marrë parasysh ndeshjen e kaluar si shkoi, ne e vlerësojmë ndeshjen e nesërme. Nëse e kalojmë, na jep një motivim shtesë dhe një mundësi që të shkojmë drejt objektivave që kemi dhe që na janë caktuar gjatë rrugës. Mendoj që do jetë një ndeshje shumë e luftuar nga ana jonë dhe e Dinamos. Shpresoj të jetë ndeshje shumë e bukur dhe shpresoj për fitoren tonë”.

“Mendoj që duke parë stërvitjen e ekipit dhe cilësitë që kemi, e cilësoj Partizanin favorit. Kam besim tek grupi dhe çunat që stërviten, tek stafi. Besoj që do dalim fitues në fund të ndeshjes. Nuk e cilësoj favorit për shkak të dyshimeve që kanë kundërshtarët.”

FORMA PERSONALE – “Kam një rritje në lojë, por mund të them që kam pasur një fillim të vështirë gjatë këtij sezoni. Për arsye personale dhe sportive, por normalisht që ndeshje pas ndeshje tentoj të rritem përherë. Kam marrë vetëbesimin e duhur”.

E ARDHMJA – “Kam një kontratë me klubin, jam në huazim këtu. Nuk i dihet fundi i sezonit, pasi futbolli është i paparashikueshëm. Nuk e di se çfarë të them”.

OBJEKTIVAT – “Besoj se ne do luftojmë ndeshjes pas ndeshjes dhe jemi duke bërë mirë. Shpresoj që me një fitore në ditën e nesërme do ndryshojnë shumë gjëra. Besoj që edhe në kampionat dhe në kupë do i shkojmë deri në fund, deri në maksimum”, u shpreh Mala. / oversport.tv