Mali i Zi hakmerret në “Loro Boriçi”, mposht Shqipërinë U-19 në miqësore

Kombëtarja shqiptare U-19 ka luajtur sot edhe miqësoren e dytë ndaj Malit të Zi U-19, që është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Sfida “e kthimit” u fitua me rezultatin 2-3 nga malazezët, që arritën të ishin më të saktë para portës këtë herë.

Ashtu si edhe në ndeshjen e parë golat për kuqezinjtë erdhën nga këmbët e Kevin Shkurtit dhe Rrok Tomës. Shkurti realizoi me penallti në minutën e 62-të, ndërsa Toma shënoi golin e dytë të sfidës në minutën e 80-të, por që nuk ndikoi ne rezultatin përfundimtar me Malin e Zi U-19 që fitoi 3-2.

Në pjesën e dytë tekniku Armando Cungu aktivizoi edhe lojtarët që kishte në dispozicion, duke bërë shumë ndryshime në formacion.

Ndeshja e parë miqësore e luajtur në Podgoricë u fitua nga Shqipëria U-19 e drejtuar nga trajneri Cungu me rezultatin 2-1. Duhet thën se këto dy teste ishin mjaft të vlefshme për Kombëtaren U-19 për të parë gjendjen e lojtarëve më të spikatur të kësaj grup-moshe. / Oversport.tv

Foto: fshf.org