Manchester City e Arsenal fitojnë me poker, Wolves ngec sërish

Manchester City ka konfirmuar startin e mirë të këtij sezoni, ndërsa ka mposhtur në javën e dytë me poker Bournemouthin. Sfida përfundoi me rezultatin 4-0, ndërsa “Qytetarët” dominuan përgjatë 90 minutave takimin.

Ishte Gundogan ai që prishi ekuilibrat e ndeshjes, ndërsa golat e De Bruyne dhe Foden e mbyllën pjesën e parë në shifrat 3-0. Në pjesën e dytë City realizoi edhe golin e katërt falë autogolit të Lerma.

Po me poker merr tre pikët edhe Arsenali që mposhti në shtëpi 4-2 Leicesterin. Gabriel Jesus tregon formën e tij të mirë dhe realizon dygolësh në pjesën e parë. Autogoli i Saliba ngushton diferencat, por për të thelluar sërish rezultatin mendon Granit Xhaka. Maddison çon shifrat në 3-2, ndërsa rezultatin final të takimit e vulos Martinelli.

Brighton dhe Newcastle ndalen në një barazim pa gola, njësoj si Wolves-Fulham. Po në barazim, por këtë herë me gola është mbyllur sfida Southampton-Leeds. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-2. Më parë Aston Villa mposhti në shtëpi Evertonin me rezultatin 2-1.

Foto: Manchester City, Twitter