Manchester City pa mëshirë ndaj Leeds, Burnley merr fitore jetike

Manchester City i përgjigjet Liverpool me “poker”. Kampionët në fuqi të Anglisë triumfuan kundër Leeds 4-0 dhe rimorën vendin e parë në klasifikim, pasi në mesditë kishte marrë pikët e plota edhe skuadra e Klopp.

“Qytetarët” dominuan dhe ndeshja u zhbllokua që në minutën e 13-të, me anë të Rodry. Në 45 minutat e para nuk pati gol tjetër, ndërsa në të dytën Ake i dyfishoi shifrat për Manchester City.

Skuadra e Pep Guardiola nuk u mjaftua me kaq dhe golin e tretë e shënoi braziliani Gabriel Jesus. Në fund pjesë e “festës” u bë edhe veterani Fernandinho, i cili në shtesë ndëshkoi edhe një herë skuadrën e Leeds.

NDESHJET E TJERA – Norwich dhe Watford që i kanë larë duart me Premier League shtuan numrin e humbjeve në llogarinë e tyre. “Kanarinat” e pësuan 2-0 kundër Aston Villa, që shënoi me Watkins dhe Ings golat që vulosën fatet e kësaj ndeshjeje.

Watford ndërkohë e pësoi 1-2 ndaj Burnley, që tani ka shumë shanse të qëndrojë në Premier League. Cork dhe Brownhill shpëtuan shokun e tyre të skuadrës, Tarkowski, që në fillim të ndeshjes shënoi autogol në portën e tij.

Humbje për Southampton të Armando Brojës, 1-2 kundër Crystal Palace. Sulmuesi i kombëtares shqiptare u aktivizua në pjesën e dytë, ndërkohë që miqtë gëzuan në shtesë pas golit të Zaha, pas atij të Eze.

Wolves ka marrë një goditje të rëndë në shtëpi, 0-3, kundër Brighton. Mac Allister shënoi me penallti, pasi kishte gabuar një herë më parë, kurse Trossard dhe Bissouma i mbyllën llogaritë në fund. / oversport.tv

PREMIER LEAGUE – JAVA 35

Aston Villa-Norwich 2-0
Shënues:
Watkins 41’, Ings 90+3’

Southampton-Crystal Palace 1-2
Shënues:
Romeu 9’ / Eze 60’, Zaha 90+2’

Watford-Burnley 1-2
Shënues:
Tarkowski (aut.) 8’ / Cork 83’, Brownhill 86’

Wolves-Brighton 0-3
Shënues:
Mas Allister (pen.) 42’, Trossard 70’, Bissouma 86’

Leeds-Manchester City 0-4
Shënues:
Rodri 13’, Ake 54’, Jesus 78’, Fernandinho 90+3’

Foto: Manchester City, Twitter