Krejt papritur, Paul Pogba duket shumë pranë rinovimit të kontratës me Manchester United, e cila skadon në qershor të vitit të ardhshëm.
Sipas asaj që raporton prestigjiozja “L’Equipe”, mesfushori francez, pas shumë muajsh ku flitej një largim i mundshëm nga “djajtë e kuq”, ka ndryshuar mendim dhe synon që të vazhdojë aventurën e tij me skuadrën e Manchesterit, që ka ambicje të mëdha në Europë, siç e tregon edhe rikthimi i Cristiano Ronaldo.
E ardhmja e Pogba, lidhej me PSG-në dhe Realin e Madridit gjatë verës së kaluar, por në Paris shkoi Messi dhe shumë lojtarë të tjerë (në mesfushë Wijnaldum), ndërsa spanjollët vendosën t’i besojnë talentit francez Camavinga. Edhe Juventusi ndiqte situatën e mesfushorit francez, duke synuar një rikthim në Torino.
Sipas “L’Equipe”, tratativat e rinovimit mes Manchester United dhe Pogba po ecin shumë mirë, madje për 28-vjeçarin, kampion Bote, do të ishte gati një rrogë prej 20 milion eurosh në vit, që do ta bënte një nga futbollistët më të paguar në Premier League. / Oversport.tv