Manchesteri i tregon derën Pogbasë, le të ikë në fund të sezonit

Paul Pogba dhe Manchester United duket se kanë ardhur tashmë në fund të marrëdhënies së tyre. Kjo të paktën sipas asaj që shkruan “Marca”, që thekson se kësaj radhe është klubi anglez ai që ka vendosur të tërhiqet nga rinovimi i kontratës së futbollistit francez.

Sipas gazetës spanjolle, “djajtë e kuq” nuk besojnë se rendimenti i mesfushorit e ka justifikuar investimin që është bërë tek ai dhe tashmë dyshojnë nëse ia vlen që ti ofrojnë një tjetër kontratë të gjatë dhe të kushtueshme.

Problemet e ndryshme fizike kanë patur një rol të rëndësishëm në këtë vendim dhe Marca këmbëngul se qëndrimi i Pogbasë në “Old Trafford” është një mundësi që përjashtohet. Ky lajm mund të sjellë një mundësi të artë për të gjithë klubet që interesohen për francezin, ku përfshihet edhe Reali i Madridit.

Gjithsesi madrilenët nuk kanë ndërmend që ti ofrojnë një pagë faraonike, ashtu siç pretendon agjenti i tij Mino Raiola. Francezi pëlqehet shumë nga trajneri Ancelotti, por presidenti Florentino Perez nuk është plotësisht i bindur. / Oversport.tv