Mancini: Fitorja kundër Belgjikës vlen për shortin e Kupës së Botës

“Ndeshja e të dielës kundër Belgjikës është shumë e rëndësishme. Duhet të qëndrojmë mes 7 skuadrave të para në renditje, për të qënë të favorizuar në shortin e Kupës së Botës”.

Trajneri i kombëtares italiane, Roberto Mancini, kërkon që të mos ulet vigjilenca në prag të ndeshjes kundër Belgjikës e vlefshme për vendin e tretë në Nations League.

Humbja në gjysmëfinale kundër Spanjës dhemb akoma: “Nuk është se luajtëm keq, sigurisht që më vjen keq që ndalëm serinë prej 37 rezultatesh pozitive, por do të ndodhte një ditë edhe kjo”.

Tekniku flet për të rinjtë që mund ti bashkohen skuadrës italiane: “Do të donim që të afronim sa më shumë të rinj, por e dimë që edhe kombëtarja U21 ka objektivat e saj. Por, do të kemi mundësinë që të afrojmë lojtarë të rinj”.

Në fund tekniku flet edhe për një rikthim të mundshëm të Mario Balotellit në kombëtare: “Është 31 vjeç, gjithçka varet nga ai. Dyert janë të hapura për të gjithë dhe askush nuk është harruar. Ne vlerësojmë të gjitha pozicionet që mund të ndihmojnë skuadrën”. /Oversport.tv