Tashmë që u arkivua java e 7-të e Serie A, vëmendja rikthehet tek skuadra kombëtare e Italisë, ku të mërkurën e 6 tetorit, kampionia në fuqi e Europës, do të përballet në Milano me Spanjën në gjysmëfinalen e Nations League.
Roberto Mancini po humbet një e nga një lojtarët e grumbulluar për këtë turne. Në fillim ishte i dëmtuarit Ciro Immobile që u zëvendësua nga sulmuesi i Juventusit, Moise Kean.
Më pas u dëmtua edhe mbrojtësi i Atalantës, Rafael Toloi, vendin e të cilit në skuadrën “axurre” e mori mbrojtësi i Milanit, Davide Calabria.
Në ndeshjen e mbrëmshme, Atalanta-Milan u dëmtua edhe Matteo Pessina, duke i shtuar “hallet” teknikut “axurr”.
Pritej që Mancini të grumbullonte në vend të tij mesfushorin e Romës, Nicolò Zaniolo, por duket se edhe ai ka pësuar një dëmtim në ndeshjen që verdhekuqtë fituan kundër Empolit.
Nuk është vendosur akoma se kush do të jetë lojtari, që Mancini do të grumbullojë për ndeshjen kundër Spanjës, por i pari në listë qëndron milanisti Sandro Tonali, që e ka nisur shumë mirë sezonin me skuadrën e tij. / Oversport.tv