Mancini: I komplikuam gjërat vetë, në këtë kohë ka rëndësi gjendja fizike

Italia do të luajë në fazën “play off” në kualifikueset e “Qatar 2022” dhe për të komentuar mbi ndeshjet e ardhshme ka folur trajneri Roberto Mancini. Megjithatë, fillimisht ai e nisi me një koment mbi luftën në Ukrainë.

“Situata është dramatike, sporti zakonisht bashkon dhe nuk ndan, mund të ndihmojë, por momenti është shumë i vështirë veçanërisht për popullin ukrainas. Ne përpiqemi të bëjmë diçka edhe për ta.

Besoj gjithashtu se në Rusi shumica e njerëzve janë kundër luftës dhe çfarë po ndodh. Kur e mendon nuk e beson se kjo është e vërtetë, është e vështirë për të gjithë.

KUALIFIKUESET- “Ne i komplikuam vetë gjërat, e dimë që kemi cilësinë për të hyrë në Botëror. Ndeshja e parë do të jetë ndoshta edhe më e vështirë. Do të luajmë në Palermo, me publikun afër dhe mendoj se do të shkojë mirë.

Unë u besoj djemve, jam optimist, por e di që do të jenë dhjetë ditë të vështira.  Jam duke vlerësuar emrat, në këtë kohë të sezonit është e rëndësishme gjendja fizike. Nuk do të jenë 100% dhe kjo duhet vlerësuar”. /oversport.tv

Foto: FIGC Twitter