Mancini optimist: Nuk do të jetë e lehtë, por Italia e di se çfarë duhet të bëjë

Sfida e parë drejt Botërorit të Katarit luhet në Palermo kundër Maqedonisë së Veriut. Italia nuk mund të gabojë dhe trajneri Roberto Mancini po menaxhon me qetësi presionet në prag të kësaj ndeshjeje.

“Nuk kemi patur shumë kohë, por mjaftueshëm për të provuar diçka. Për këtë arsye kam konfirmuar djemtë e Europianit. Njihen mirë dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë”, ka thënë trajneri i kombëtares italiane.

Në organikën aktuale të skuadrës janë 7 lojtarë që edhe në vitin 2017 kanë përjetuar një situatë të ngjashme, që atëkohë shkoi keq: “Nuk e di nëse mund të jetë një avantazh apo jo, por këto momente bëjnë pjesë në karrierën e një sportisti. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të qëndrojmë të përqendruar te ajo që duhet të bëjmë: Italia di të luajë mirë futboll, të mendojmë vetëm për këtë”.

Por sfida kundër Maqedonisë së Veriut nuk duhet nënvlerësuar, ndonëse mungojnë Elmas dhe Pandev: “Gjithçka nis nga rezultati 0-0 dhe nga e njëjta pikë. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka, prandaj luhen ndeshjet. Nuk ka favoritë. Penalltitë? Pas gabimeve kundër Zvicrës, Jorginho ka shënuar 7 rresht, nuk do të jetë një problem”.

Palermo mezi pret kombëtaren dhe stadiumi “Barbera” do të jetë plot: “Ky qytet na ka mbështetur gjithmonë dhe do ta bëjë edhe kësaj radhe. Stadiumi do të jetë në kapacitetin maksimal dhe kjo është diçka pozitive në krahasim me të kaluarën”.

“Maqedonia e Veriut mbrohet mirë, por nuk besoj se do të jetë një ndeshje që mund të mbyllet shpejt. Nuk ka një rezultat për të përmbysur, duhet të rrimë të qetë dhe të bëjmë ndeshjen tonë kundër një skuadre të mirë që ka fituar në Gjermani. Kemi provuar diçka, por do të vlerësojmë situatat gjatë ndeshjes.

Me siguri që do të duhet durim, sepse ata mbrohen mirë. Nuk kemi ndryshuar në krahasim me disa muaj më parë, gjithmonë kemi provuar të imponojmë lojën tonë. Jemi gjithmonë ne”, ka thënë Mancini. / Oversport.tv

Foto: Nazionale Italiana Twitter