Mancini qan penalltitë vendimtare: Për të ardhur keq, por shkojmë në “Katar 2022”

Roberto Mancini, pas barazimit të djeshëm kundër Irlandës së Veriut, foli për ndeshjen dhe për kualifikueset në tërësi që zhvilloi Italia e tij. Kampionët e Europës do të duhet të sigurojnë një vend në “Katar 2022” përmes fazës së “play-off”.

Në deklaratën e dhënë për Rai Sport, Mancini shprehet i bindur se do jenë në Botëror dhe shpreh keqardhjen për faktin që i kishin mundësitë për ta mbyllur garën në grup prej kohësh, sidomos në duelet direkte me Zvicrën ku kanë humbur edhe dy penallti vendimtare me Jorginho.

“Nuk kemi çfarë bëjmë tani, kemi ndeshjen në mars dhe do të përpiqemi të japim më të mirën tonë. Për momentin po vuajmë për të shënuar gola, pavarësisht se dominojmë dhe japim më të mirën tonë. Irlanda e Veriut luajti e gjitha në mbrojtje dhe ne vuajmë për të thyer skuadra të tilla.

Është për të ardhur keq, sepse duhet ta kishim mbyllur grupin para se të vinte kjo situatë. Thjesht duhet të rizbulojmë ato gjëra që na kanë karakterizuar deri më sot. Kemi humbur dy penallti në ndeshjet vendimtare, kështu që kjo tregon se kishim shanse për të fituar.

Ndeshja kundër Bullgarisë ishte e para në shtator pas dy javëve të Serie A dhe ato ndeshje janë gjithmonë më të vështirat, pasi jemi të ndryshkur. Gjithashtu i kemi pasur shanset për t’i fituar të dyja ndeshjet me Zvicrën. Tani përgatitemi për në mars dhe do kalojmë nga ‘play off’-i me siguri. Do sigurojmë vendin tonë në Kupën e Botës në mars dhe shpresojmë ta fitojmë edhe turneun”. / oversport.tv