Mancini vendos objektivin: Pas Europianit mund të fitojmë Ligën e Kombeve

Dy ditë përpara gjysëmfinales në Ligën e Kombeve, Itali-Spanjë, Mancini është ndalur përballë mikrofonave për të dhënë komentet mbi situatën në kampin Azzur. Ai e nisi konferencën  duke folur për ndeshjen me Spanjën dhe me një objektiv të qartë, fitimin e Ligës së Kombeve: “Spanja ishte skuadra që na vendosi më shumë në vështirësi në EURO 2020.

Ata janë një skuadër e fortë, me lojtarë të mirë. Do të jetë një ndeshje e mirë. Ata janë të mirë në driblim, ndërsa ne nuk kishim kohë për të arritur te ekipi i tyre. Por këtë herë do të jetë ndryshe.  Do të ishte mirë të fitonim Ligën e Kombeve menjëherë pas Kampionatit Europian dhe të kualifikoheshim më herët për Kupën e Botës, por nuk do të jetë e lehtë”.

Trajneri i Azzurëve më pas u ndal te forca e grupit që e karakterizonë Italinë si dhe talentet e saj: “Grupi ka punuar së bashku për 50 ditë dhe nuk është e lehtë. Kanë qenë ditë të vështira dhe të lodhshme, por nuk ka pasur probleme. Kimia dhe dashuria nuk janë të lehta për t’u marrë. Italia që do të vijë është ende e bazuar në talentet e saj, nga Gigio Donnarumma tek Federico Chiesa.”

Më pas ai u ndal edhe te stili i lojës që është ndryshe nga Italia e viteve të mëparshme: “Nuk ka vetëm një mënyrë për të fituar. Nuk ka të bëjë vetëm me lojën e mirë. Sigurisht, nëse mund të fitojmë duke luajtur mirë dhe duke dhuruar spektakël është edhe më mirë. Ka shumë mënyra për të fituar. Perceptimi i Italisë ka ndryshuar, por ne nuk mund të harrojmë se Italia ka fituar katër Kupa Bote. Ne jemi kampionët e Evropës dhe kemi një histori të rëndësishme”, e mbylli fjalën e tij Mancini. /oversport.tv