Manny Pacquiao tërhiqet zyrtarisht nga boksi, kandidon për president të Filipineve

Boksieri filipinas, Manny Pacquiao, ka zyrtarizuar largimin nga boksi, pasi një karriere të gjatë prej 26 vitesh. Ai ka fituar 12 tituj botërorë dhe është i vetmi në histori që ka fituar në 8 pesha të ndryshme. Senator në Filipine që nga viti 2016, tashmë do të kandidojë për postin e presidentit të vendit të tij.

“Është vendimi më i vështirë i jetës sime”-ka shkruar në rrjetet sociale, 42-vjeçari, që zyrtarizon largimin nga boksi pas një karriere të gjatë dhe të pasur. Pacquiao, i vetmi në histori që ka fituar 8 tituj në 8 pesha të ndryshme, do të fillojë një jetë të re si politikan, pasi do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në Filipine, që do të mbahen vitin e ardhshëm.

“Tani që po ul dorezat e boksit, dua të falenderoj të gjithë botën, veçanërisht popullin filipanas, që më ka mbështetur. Është e vështirë të pranoj që kohës sime si boksier i ka ardhur fundi. Por, sot zyrtarizoj tërheqjen time nga boksi”-ka shkruar Pacquiao.

Në 26 vite karrierë, boksieri ka zhvilluar 72 ndeshje, duke arritur 62 fitore (39 me knock out dhe 23 me vendim arbitrash), 8 humbje dhe 2 barazime. 12 tituj kampionë bote ka fituar Manny Pacquiao, i njohur edhe me nofkat “Pacman” dhe “kampioni i popullit”. / Oversport.tv