Marc Marquez mbyll sezonin, piloti i Hondës ka probleme me shikimin

Ashtu siç pritej, Marc Marquez do të mungojë edhe në garën e fundit në MotoGP në Valencia si dhe në provat në Jerez në 18 dhe 19 nëntor. Pasojat e rënies që ndodhi në stërvitje, që i shkaktuan një traumë në kokë, nuk janë rikuperuar dhe e detyrojnë pilotin që të mbyllë sezonin parakohe.

Pasi u vizitua të martën e kaluar në klinikën “Clinica Dexeus” në Barcelonë, piloti i Hondës ka kaluar të gjithë javën në shtëpinë e tij në Cervera.

“Gjatë këtyre ditëve pushimi, Marc ka vazhduar të mos ndihet mirë dhe ka patur probleme me shikimin, për këtë arsye u vizitua nga doktor Sanchez Dalmau në “Hospital Clinic” të Barcelonës”, shkruhet në njoftimin e skuadrës.

Marquez ka një problem serioz me shikimin dhe do të qëndrojë pushim për një kohë të pacaktuar. Vendin e tij do ta marrë Stefan Bradl. / Oversport.tv