Marku: Jam më lart se kundërshtari, dua të zhvilloj një ndeshje në Tiranë

“Mbreti shqiptar”, Florian Marku do të ndeshet me francezin Jorick Luisetto, në “SSE Arena” në Wembley të shtunën e 20 nëntorit.

Boksieri shqiptar ka folur për mediat në konferencën për shtyp në prag të kësaj sfide. Marku mendon se është më lart se kundërshtari dhe dëshiron që të zhvillojë një ndeshje boksi në Tiranë.

“Përshëndetje të gjithëve. Jam shumë i lumtur. Boksi, ndeshja është jeta ime. Njerëzit nuk e kuptojmë këtë, kjo është e vetmja gjë që më bën të lumtur.

Gruaja ime është shtatzënë, është në ditët e saj të fundit. Mund të lindë sot ose nesër, por shpresoj që të mos lindë të shtunën, sepse nuk do të jem në gjendje që ta shoh atë ditë.

Përsa i përket kundërshtarit, jam shumë i lumtur dhe e përgëzoj që ai e pranoi këtë ndeshje. Nuk kam shumë gjëra për të thënë për të, unë mendoj që ai nuk është në nivelin tim dhe për të treguar dhe kuptuar se sa shumë e dua boksin, unë mund të ndeshem çdo muaj, nëse i kam duart në rregull.

Kisha dy dëmtime, doktori më tha të bëjmë njëherë dorën e majtë, pastaj atë të djathtë, ndërsa unë i thashë të mos humbasim kohë, le ti bëjmë të dyja, që të kem mundësi të ndeshem.

Tani jam kthyer dhe pas kësaj dua që të zhvilloj një ndeshje të madhe në stadiumin në Shqipëri, ku janë rreth 30 mijë tifozë.

Do të kalojmë me sukses Jorick të shtunën dhe më pas dua të shkoj në Tiranë, që të zhvilloj një ndeshje të madhe atje”, ka përfunduar Marku./Oversport.tv