Marotta: Interi ka dalë nga tuneli, kemi stabilitet ekonomik

Giuseppe Marotta është ai që bashkon pronarët e Interit dhe skuadrën, një rol të cilin do të vazhdojë ta bëjë: “Presim që të kthehet Zhang, besoj se mund të vazhdojmë së bashku. Pastaj mund të kërkoj diçka jashtë klubit, ndoshta një rol institucional në sport”.

Por më parë duhet të rregullohet çështja e rinovimeve: “Jemi shumë pranë zgjatjes së kontratës, me vlerësime dhe rritje, për Lautaron dhe Barellan. Për Brozovic do të duhet pak më tepër kohë, por jam plot besim se do të zgjidhet”.

Marotta ka folur për merkaton aktuale, por edhe për atë të shkuarën në një intervistë për “Corriere della Sera”: “Sot Lukakun 75 milion euro nuk mund ta blej, por nuk duhet të kënaqemi me kaq, duhen investime të goditura dhe cilësore.

Shes Lukakun 115 milion dhe e zëvendësoj me Edin Dzeko me kosto zero: në fushë nuk ka diferencë kaq të madhe. Pastaj belgu u largua nga Serie A për të fituar dyfishin, në Itali shifra të tilla nuk ekzistojnë”.

Një tjetër largim i dhimbshëm ka qenë ai i Contes: “Nuk jemi zënë. Është një temë delikate, duhet të jetë edhe ai prezent për ta diskutuar bashkë”.

Shitja e Lukakut ka rregulluar llogaritë e Interit: “Kemi dalë nga tuneli, ka stabilitet dhe arka është e qetë. Zhang ka theksuar se kërkon të qëndrojë gjatë në këtë klub. Kushtet tona janë të barabarta me klubet e tjera, paguajmë rregullisht rrogat”.

Po nëse do të kishte oferta të mëdha për lojtarët më të mirë? “Dëshira e futbollistit është vendimtare. Megjithatë unë nuk shqetësohem për shitjet, por për blerjet e mira”, ka thënë administratori i deleguar i zikaltërve. / Oversport.tv