Marsch: Gjyqtari donte autograf nga Neymar, mirë që ndërhyri VAR-i

“Në disa momente dukej se gjyqtari ishte më i interesuar që të merrte një autograf nga Neymar në fund të ndeshjes, sesa të arbitronte ndeshjen”. Jesse Marsch, trajneri i Leipzig, ka nxjerrë inatin ndaj gjykimit të Ekberg pas barazimit kundër PSG-së dhe nuk ka përdorur një gjuhë të butë:

“Jam serioz, është diçka shumë e mirë të kesh Mbappé, Neymar dhe Di Maria këtu në Leipzig, por ju lutem na lini të luajmë një ndeshje normale, ku gjithçka shkon sipas rregullave”.

Inatin për drejtimin e ndeshjes, tekniku i gjermanëve e kishte treguar edhe gjatë takimit, ku u ndëshkua për protesta, sepse nuk ishte dakort me mënyrën se si po e mbante sfidën “bilbili” suedez.

“Isha i nxehur me arbitrin që në fillim. E di që klubet e mëdha respektohen më shumë se klubet e vogla. Vetëm mund të ankohem, sepse vazhdohet po njësoj: nuk ndryshuan asgjë as fishkëllimat e publikut.

Të njëjtën sjellje ka edhe gjyqtari i katërt. Kisha dy mundësi: ose të pranoja gjithçka ose të më rrëmbenin emocionet dhe të kërkoja më shumë respekt nga gjyqtari i ndeshjes”, ka vazhduar Marsch.

Në fund ndeshja përfundoi 2-2, pas penalltisë së shënuar nga Szoboszlai, që u dha pas sinjalizimit nga VAR, por Marsch ka diçka për të thënë edhe për këtë episod: “Nëse nuk do të ndërhynte VAR-i, nuk do ta jepte kurrë penalltinë. Dhe ishte një penallti e qartë”, ka përfunduar trajneri i Leipzigut. /Oversport.tv