Marseille rimerr vendin e dytë, Lens shkatërron Nice! Zhgënjen sërish Lyon

Marseille fiton 2-0 përballë Montpellier dhe rimerr vendin e dytë në renditjen e Ligue 1. Vendasit kalojnë shumë shpejt në avantazh të dyfishtë falë golave të Dieng dhe Cengiz Under (nga pika e bardhë e penalltisë) dhe më pas administrojnë qetësisht fitoren.

Montpellier është munduar të reagojë por pa vënë në vështirësi portierin Mandanda. Jonas Omlin bën një ndërhyrje të rëndë në fund të sfidës dhe miqtë detyrohen të mbyllin sfidën me 10 lojtarë.

Tre gola dhe shumë nervozizëm në ndeshjen e Ligue 1 mes Lens dhe Nice. Vendasit arrijnë që të fitojnë sfidën me rezultatin e pastër 3-0, por vlen të theksohet se 2 golat e parë të shënuar nga Kalimuendo dhe Doucoure janë shënuar në inferioritet numerik, sepse Haidara ka marrë karton të kuq në minutën e 17-të.

Goli i tretë i shënuar sërish nga Kalimuendo ka vulosur fitoren e Lens, ndërsa miqtë kanë mbyllur sfidën me 9-të vetë sepse Dante dhe Lemina kanë marrë karton të kuq.

Lyon ka arritur të barazojë në minutat e fundit në transfertën përballë Strasbourg në kampionat. Vendasit kalojnë të parët në avantazh me Sissoko dhe kur dukej se ndeshja do të mbyllej me fitoren minimale të Strasbourg, Toro Ekambi ka shënuar për Lyon duke baraspeshuar gjithçka.

Strasbourg ruan vendin e 4-t në renditje, ndërsa Lyon qëndron në mesin e renditjes, shumë larg objektivave të fillim sezonit. / Oversport.tv

Foto: Olympique de Marseille, Twitter