Marseille “zot” i vendit të dytë, Rennes merr fitoren e pestë radhazi

Marseille ka fituar betejën për vendin e dytë në Ligue 1 dhe ka çuar në 12 pikë diferencën me skuadrën kryesuese të PSG. Ekipi i njohur francez mposhti skuadrën e Nice, që bie në vendin e katërt, me rezultatin 2-1.

Në shtëpi Marseille ishte e detyruar të ishte më këmbëngulëse dhe të komandonte lojën, çka solli edhe një penallti në minutat shtesë të pjesës së parë. Polaku Arek Milik nuk fali dhe e dërgoi topin në rrjetë, ndërkohë që më parë kishin rrezikuar edhe Saliba e Payet të shënonin.

Nice nisi të guxonte dhe tre minuta nga nisja e pjesës së dytë e çoi topin në rrjetë me Delort, por ai u kap në pozicion jashtë loje. Marseille e dinte se duhej edhe goli i qetësisë dhe iu afrua shumë me Gueye në minutën e 55-të, por Benitez ia mohoi.

Pau Lopez gjashtë minuta më pas u bë shpëtimtar për skuadrën vendase, në një rast të Lotomba. Më pas edhe Delort rrezikoi sërish për Nice. Në minutën e 73-të i njëjti lojtar kërkoi penallti kur u rrëzua në zonë, por arbitri nuk mendoi njëlloj.

Një minutë para fundit të kohës së rregullt shënoi edhe Bakambu, çka bëri që edhe te Marseille të çliroheshin dhe të festonin. Lemina në shtesë i ngushtoi shifrat dhe vetëm kaq, pasi tre pikët i mori Marseille.

NDESHJET E TJERA – Rennes nuk ndalet në Ligue 1, teksa ka fituar pesë ndeshje radhazi që pas disfatës së pësuar kundër kryesuesve të PSG. Sot mposhtën me rezultatin 6-1 skuadrën e Metz, që renditet e parafundit.

Terrier ishte ai që shënoi dy gola të shpejtë, pa u bërë 30 minuta lojë, ndërsa më pas i hapi krahun shokët te skuadrës, Guirassy, autor i tre golave. Për Rennes shënoi edhe Traore, kurse miqtë realizuan golin e nderit me Mafouta.

Lille nuk ka fituar as sot, teksa ngeci në një barazim pa gola kundër Reims në transfertë. Po 0-0 përfundoi edhe Lorient-Strasbourg. Angers është rikthyer te fitorja pas shtatë humbjesh radhazi, pasi mposhti me një gol të shënuar nga Boufal me penallti skuadrën e Brest.

Humbje sërish për Bordeaux, e treta radhazi që e lë në fund të tabelës së klasifikimit, ndaj Montpellier me rezultatin 0-2. Wahi dhe Mollet e vendosën ndeshjen në 16 minutat e para, me golat që shënuan. / oversport.tv

Foto: OGC Nice, Twitter