Martinez: Shpresoj që Lukaku të luajë titullar ndaj Kroacisë, është vendimtar për ne

Gjithçka është e hapur në grupin F dhe ndeshjet e fundit të grupit do të përcaktojnë emrin e dy skuadrave që do të vazhdojnë aventurën e tyre në Katar 2022. Belgjika do të luajë kualifikimin në një sfidë direkte përballë Kroacisë. “Djajtë e kuq” janë të detyruar të fitojnë këtë sfidë, sepse çdo rezultat tjetër do të sillte eliminimin nga Botërori.

“Nuk e di nëse Lukaku do të luajë që nga minuta e parë. Shpresoj që po, për skuadrën time, bën shumë diferencë nëse ai luan gjithë ndeshjen. Përveçse është një lider, mban i vetëm repartin e sulmit, është një pikë referime. Thjesht thelbësor”, ka thënë trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez në konferencën për shtyp në prag të sfidës.

Tekniku ka folur edhe për situatën e krijuar në skuadër, ku sipas medias ka tension në dhomat e zhveshjes: “Nuk e di nga vijnë këto lajme të rrema. Kanë ardhur edhe nga Franca, por nëse do të isha një gazetar belg do të mbështesja kombëtaren e vendit tim dhe nuk do të mundohesha ta dobësoja”, ka thënë Martinez. / Oversport.tv

Foto: Belgian Red Devils Twitter