Martini pas rikthimit: Tiranën e kemi mundur edhe kur ka qenë “top”

Edi Martini është rikthyer te Teuta dhe ndeshjen e parë e ka kundër Tiranës. Shkodrani, i cili vjet u shpall kampion në krye të “Djemve të Detit”, nuk e shoh problem faktin që ka vetëm disa ditë në krye të skuadrës.

“Nuk është kohë e gjatë nga largimi. Këto tri seanca i shikoj si vazhdim i asaj pune që kemi bërë. Nuk e shikoj si një problem të madh. Megjithatë skuadrën në përgjithësi e shoh shumë mirë”, tha fillimisht Martini.

Ai më tej theksoi se nuk do të bëjë ndonjë revolucion në skuadër: “Nuk është se do ndryshoj ndonjë gjë, thjesht do mundohem të shkojmë aty ku kemi qenë më përpara me lojë”.

Në lidhje me duelin kundër Tiranës, Martini shtoi: “Është një ndeshje e fortë, po luajmë ne që jemi kampionë me ata që duan të dalin kampion. Por duam të shpallemi edhe ne kampionë. Kështu që do jetë një ndeshje e fortë, që i ka të tria rezultatet brenda.

Tirana ka një ekip të mirë, me lojtarë me eksperiencë. Luajnë mirë mbrapa, me 5 mbrojtës, kanë sy sulmues të mirë përpara. Mundohen me topa të gjatë të furnizojnë sulmuesit e tyre. Ne do mundohemi t’u bllokojmë pikat e tyre të forta”.

“Ne kemi bërë kthesën gjithmonë me Tiranën. Atëherë kur Tirana kishte 18 ndeshje pa u mposhtur, ne ia kemi dalë. Kur ishte shumë e fuqishme. 90 për qind e lojtarëve janë ende pjesë e ekipit. Kryesorja është shpirti dhe lufta jonë në fushën e lojës. Se çfarë bën Tirana më pas është hesap tjetër”.

“Them që jemi të qartë për formacionin. E thashë që është ndeshje e rëndësishme për ne, por edhe për Tiranën. Do futemi në fushë për fitore, por rezultatin ia lëmë lojës. Fusha e mirë? Shumicën e ndeshjeve i kemi luajtur në Elbasan, edhe aty është fushë e mirë, si në ‘Air Albania’. Jemi të fokusuar në maksimumin dhe në çdo lloj fushe të zhvillohej kjo ndeshje, ne do të ishim gati”. / oversport.tv